Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa ndaj çdo shteti që aplikon taksa digjitale ose kufizime rregullatore ndaj gjigantëve teknologjikë amerikanë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, më 25 gusht, Trump tha se ligjet dhe taksat digjitale janë të dizajnuara për të dëmtuar dhe diskriminuar kompanitë amerikane të teknologjisë, duke paralajmëruar se përveç tarifave, mund të forcohen edhe kufizimet për eksportin e teknologjisë amerikane.
“Si president i Shteteve të Bashkuara do të përballem me çdo vend që sulmon kompanitë tona të pabesueshme të teknologjisë,” shkroi ai.
Edhe pse Trump nuk e përmendi drejtpërdrejt Bashkimin Evropian, BE ka miratuar ligje që kanë prekur drejtpërdrejt platformat amerikane, përfshirë Digital Markets Act (DMA) dhe Digital Services Act (DSA). DMA synon të ndalojë gjigantët si Google, Apple, Meta, Amazon e TikTok nga abuzimi me pozitën dominuese në treg, ndërsa DSA vendos rregulla të rrepta për përmbajtjen e dëmshme dhe dezinformimin në platformat me mbi 45 milionë përdorues.
Këto ligje kanë shkaktuar tensione të vazhdueshme mes Brukselit dhe Uashingtonit. Sipas Reuters, SHBA po shqyrton edhe kufizime vizash ndaj zyrtarëve të BE-së që zbatonin DSA-n, ndonëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian dhe administrata amerikane publikuan një deklaratë të përbashkët mbi marrëveshjen tregtare në zhvillim, ku BE bëri të qartë se ndryshimet në legjislacionin digjital nuk janë pjesë e negociatave.
Megjithatë, komentet e fundit të Trump pritet të shtojnë presionin mbi Brukselin, duke rrezikuar balancën delikate të marrëveshjes tregtare mes dy palëve.