Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar me tone të ashpra pas aksidentit tragjik në Sarandë, ku humbën jetën dy motrat Dhimaku dhe u plagos një vajzë tjetër.
Përmes një postimi në Instagram, Braçe e ka cilësuar ngjarjen si “vrasje” dhe jo si aksident rrugor, duke kërkuar ndryshime urgjente në Kodin Penal dhe Kodin Rrugor.
Sipas tij, rasti i Kevi Norra-s, punonjës i Ministrisë së Brendshme, i cili dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur, me shpejtësi të lartë dhe në parakalim të gabuar në momentin e aksidentit, është dëshmi e abuzimit me detyrën dhe rrezikimit të jetës së qytetarëve.
Braçe ka theksuar se përdorimi i armëve të shërbimit dhe privilegjeve shtetërore në ngjarje kriminale duhet të ndëshkohet me ashpërsi të veçantë.
“Ky nuk është aksident. Është vrasje. Duhet të ndryshohen urgjent dy ligje: Kodi Rrugor dhe Kodi Penal,” ka shkruar Braçe, duke kërkuar që rastet e ngjashme të mos trajtohen më si shkelje administrative, por si krime të rënda me pasoja fatale.