Kryeparlamentari Dimal Basha ka komentuar sot dorëheqjen e Liburn Aliut nga posti i Ministrit të Infrastrukturës, duke theksuar se pakënaqësitë brenda partisë janë të natyrshme dhe pjesë e demokracisë.
Në një konferencë për media, Basha tha se vlerëson lartë kontributin e Aliut, si në Lëvizjen Vetëvendosje ashtu edhe në qeveri.
“Unë e çmoj kontributin e tij si aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje, ashtu siç e çmoj edhe kontributin e secilit aktivist tjetër. Po ashtu e respektoj punën që e ka bërë si ministër”, deklaroi Basha.
Ai shtoi se mospajtimet janë normale, duke përmendur se edhe vetë si deputet kishte pasur herë pas here debate me ministra në Kuvend.
“Është krejtësisht e natyrshme të ketë pakënaqësi mes vete. Edhe në familje ka mospajtime ndonjëherë, por me rëndësi është që të vazhdojmë rrugëtimin para”, tha më tej kryeparlamentari.
Në fund, ai përsëriti vlerësimin për ish-ministrin Aliu, duke e cilësuar dorëheqjen e tij si pjesë të procesit politik dhe demokratik brenda subjektit.