AGK dhe shoqëria civile në mbrojtje të redaktorëve të RTK-së: Të anulohet vendimi për largimin nga moderimi

by informim peje

Organizatat kryesore të shoqërisë civile në Kosovë, përfshirë Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), kanë shprehur solidaritet të plotë me gjashtë redaktorët e larguar nga ekranet e RTK-së, duke e quajtur vendimin “arbitrar dhe antiligjor”.

Sipas tyre, ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pavarësinë e transmetuesit publik.

banner

“Largimi i redaktorëve vjen pas kritikave të tyre për vonesat në paga dhe pas përballjeve të hapura me përfaqësues të pushtetit në emisionet që kanë moderuar,” thuhet në reagimin e përbashkët.

Organizatat kërkojnë nga menaxhmenti i RTK-së të anulojë menjëherë vendimin dhe të garantojë kushte të lira e profesionale për punën e gazetarëve.

Postimi i plotë:

Organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, qëndrojnë në solidaritet të plotë me gjashtë redaktorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) pas njoftimit se janë larguar nga moderimi i magazinave informative që kanë drejtuar.

Sipas njoftimit të gazetarëve Blerta Foniqi-Kabashi, Meneta Zekaj-Nushi, Jehona Zhitia, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa dhe Valon Bajrami ata “janë larguar në mënyrë arbitrare dhe antiligjore”.

Ne konsiderojmë që ky vendim përbën ndërhyrjen e radhës në pavarësinë e transmetuesit publik, dhe është bërë pak kohë pasi këta redaktorë kanë sfiduar me pyetje në emisionet e tyre përkatëse njerëz të pushtetit, dhe pasi kanë ngritur zërin e tyre për vonesat tre javore të pagave.

RTK është ballafaquar me ndërhyrje të vazhdueshme politike ndër vite, dhe në vitet e fundit edhe me shkurtim të buxhetit dhe ndërhyrje politike nëpërmjet emërimeve në menaxhment.

Ne kërkojmë nga menaxhmenti i RTK-së që të anulojë vendimin për largimin e redaktorëve nga ekrani televiziv, dhe çdo ndryshim në të ardhmen të bëhet në dialog me redaktorë dhe duke respektuar kontratat e punës.

Transmetuesi publik ka rol të rëndësishëm për informim të publikut dhe gazetarët, redaktorët dhe pjesa tjetër e stafit të RTK-së duhet të lejohen të punojnë pa presion politik dhe financiar.

Organizatat e shoqërisë civile çmojnë guximin e redaktorëve për të sfiduar publikisht vendimet arbitrare dhe cenzuruese, dhe u ofrojnë përkrahje në ndjekjen e rrugëve ligjore për të anuluar vendimin që i largon ata nga ekrani televiziv.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës
Flutura Kusari
OJQ Pishtarët
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Rrjeti i Grave të Kosovës
Lëvizja FOL
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë
Community Building Mitrovica
CEL Kosova
Democracy Plus (D+)
Kosova – Women 4 Women
Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
YMCA Movement
ÇOHU/Preportr
Instituti Sekhmet
Instituti Demokratik i Kosovës
Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy