Mbyllet afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, Elezi sqaron procedurat për votimin me postë

by informim peje

Të premten në mesnatë është mbyllur afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës që duan të votojnë përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Mijëra shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit janë bërë pjesë e këtij procesi duke u regjistruar për votim me postë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka sqaruar për Ekonomia Online mënyrën se si do të zhvillohet votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës. Sipas tij, detajet dhe procedurat specifike do të publikohen shumë shpejt nga KQZ-ja, me qëllim të sigurimit të transparencës dhe qartësisë për çdo votues.

banner

“Periudha e votimit përmes postës vlen vetëm për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar gjatë periudhës 23 korrik – 29 gusht 2025. Votimi përmes postës do të nisë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në Zgjedhjet Lokale nuk ka votim në përfaqësi diplomatike, por vetëm përmes postës,” theksoi Elezi.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, votuesit nuk do të kenë mundësi të shkarkojnë fletëvotimet nga uebfaqja e KQZ-së. Këtë herë, KQZ-ja do t’ua dërgojë ato me postë në adresën që kanë deklaruar gjatë regjistrimit. Çdo votues i regjistruar do të pranojë dy fletëvotime – një për Kryetar Komune dhe një për Kuvend Komunal.

“Në bazë të rregullores për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurojë që shtetasve të regjistruar t’u dërgohet paketa me dy fletëvotime. Detyra e secilit votues është që ta dërgojë këtë pako në një nga kutitë postare të KQZ-së, të cilat do të hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë,” njoftoi Elezi.

Sipas KQZ-së, së shpejti do të publikohen adresat e kutive postare që do të jenë në dispozicion për kthimin e votave.

Gjithashtu, KQZ ka bërë të ditur se shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë, nuk do të figurojnë në Listën e Votuesve brenda Kosovës, që shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve, dhe për rrjedhojë nuk do të mund të votojnë në Kosovë.

Nga ana tjetër, ata që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë do ta gjejnë emrin e tyre në Listën e Votuesve brenda Kosovës dhe do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në vend.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy