Politikani Nenad Rashiq ka deklaruar se Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës, por bart një mendësi të viteve ’90-ta. Në një intervistë për emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ai theksoi se distancohet nga kjo qasje politike, duke u pozicionuar si alternativë për të ardhmen.
“Lista Serbe prezanton të kaluarën, mendimet e viteve të ’90-ta. Unë këtë e shoh si një element ku nuk duhet të synojmë. Dua të jem një përfaqësues autentik i serbëve të Kosovës,” u shpreh Rashiq.
Ai tha se rrugën e tij politike e ka përcaktuar që dy dekada më parë, duke zgjedhur të besojë te e ardhmja. “Prej momentit të parë kam vendosur të besoj në të ardhmen dhe në këtë drejtim po ftoj të gjithë,” shtoi ai.
Rashiq nuk kurseu as kritikat ndaj Sllavko Simiqit, kandidatit të Listës Serbe dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, gjatë tetë viteve të fundit Simiqi ka dështuar të përfaqësojë interesat e komunitetit serb.
“Jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim apo nismë, por asnjë deklaratë në interes të serbëve të Kosovës nuk ka bërë. Ky është një reagim moral, që më shtyn të kandidoj kundër një fenomeni të tillë që përfaqëson keq,” theksoi Rashiq.