Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar ndihmë nga autoritetet kroate lidhur me rastin e një shtetaseje serbe nga Mitrovica e Veriut, e cila është arrestuar në Kroaci nën dyshimin për veprimtari spiunazhi.
Burime zyrtare nga Prokuroria Speciale kanë konfirmuar për RTK-në se është dërguar një kërkesë zyrtare për sigurimin e provave nga Kroacia, në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
“Prokuroria Speciale është në kontakt me autoritetet përkatëse dhe tashmë ka adresuar kërkesën zyrtare për sigurimin e provave. Në përputhje me marrëveshjet ekzistuese për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, Prokuroria do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në lidhje me këtë rast”, thuhet në përgjigjen zyrtare të institucionit.
Rasti ka zgjuar interesim të madh, pasi bëhet fjalë për një qytetare të Kosovës e cila dyshohet se ka qenë e përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare. Autoritetet kroate ende nuk kanë dhënë detaje publike mbi natyrën e akuzave dhe provat që posedojnë, ndërsa hetimet pritet të zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës.