Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka deklaruar se partia e tij mbetet e vendosur për të formuar qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, pavarësisht mungesës së një Nënkryetari serb në Kryesinë e Kuvendit.
Murati tha se procesi duhet të ecë përpara dhe se nuk ka më hapësirë për shtyrje. “Nuk ka më rrugë tjetër. Nënkryetarët janë zgjedhur, krejt çka ka mbetur është një alternativë se si të procedohet tutje pa një Nënkryetar, që është një nga gjashtë, ose vendi të shkojë në zgjedhje,” u shpreh ai.
Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk janë të dëshirueshme, ndaj Vetëvendosje do të insistojë në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja. Murati nënvizoi se përgjegjësia politike kërkon që procesi të përmbyllet, në mënyrë që vendi të mos mbetet në bllokadë institucionale.