Komisioni Evropian ka refuzuar përfundimisht aplikimin e dorëzuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duke i mohuar Kosovës qasjen në një fond prej 12 milionë eurosh të dedikuar për Skemën e Grantit të Performancës.
Sipas burimeve zyrtare, dokumentacioni i paraqitur nuk ka përmbushur kriteret dhe standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Ky dështim ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësues të pushtetit lokal, të cilët e konsiderojnë humbjen si pasojë të mungesës së përgatitjes profesionale në nivel qendror.
“Ky është një sinjal shumë shqetësues. Komunat po privohen nga mjete jetike për shkak të mungesës së përgatitjes dhe profesionalizmit në nivel qendror,” deklaroi Sazan Ibrahimi, përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Ibrahimi kritikoi ashpër MAPL-në për mungesë transparence dhe komunikimi, duke theksuar se AKK ka kërkuar vazhdimisht sqarime për situatën, por nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.
“Kjo mungesë transparence e lë qeverisjen lokale në terr për një çështje me pasoja të mëdha për komunat,” shtoi ai.
AKK kërkon llogaridhënie të menjëhershme nga MAPL, si dhe një rishikim urgjent të mënyrës se si trajtohen interesat e komunave në raport me institucionet evropiane dhe donatorët ndërkombëtarë. Sipas Ibrahimit, komunat nuk duhet të mbeten peng i papërgjegjësisë institucionale.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetin institucional të Kosovës për të menaxhuar fondet e jashtme dhe për të garantuar mbështetje të qëndrueshme për pushtetin lokal.