Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se subjekti i tij politik nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Në një prononcim për televizionin “Pink”, Simiq ka theksuar se Lista Serbe pret reagim urgjent nga Gjykata Kushtetuese, pasi, sipas tij, ka tendenca për vazhdimin e shkeljeve ligjore.
“Gjykata duhet të reagojë sa më shpejt dhe të vendosë për kërkesën tonë. Kryetari i Kuvendit, i cili është zgjedhur, por që nuk mund ta ushtrojë funksionin e tij në kapacitet të plotë, ka thirrur një lloj takimi konsultativ për të hënën. Ne në atë takim nuk do të marrim pjesë, sepse është rezultat i shkeljes së rregullave,” ka theksuar Simiq.
Përveç Listës Serbe, edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovëd kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Përmes një komunikate, PDK ka bërë të ditur se këto takime “shërbejnë vetëm për agjenda partiake dhe jo për interesin e Kosovës”.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, mbledhja e Kryesisë është caktuar të mbahet të hënën, në orën 13:00.

