Disa mijëra njerez, në kuadër të Festivalit të Filmit në Venecia, morën pjesë në një manifestim që denoncon veprimet e ushtrisë izraelite në Gaza.
Një marshim me mijëra pjesëmarrës (“jemi më shumë se 5 mijë”, thanë organizatorët) u zhvillua të shtunën pasdite në periferi të Festivalit të Filmit në Venecia, për të denoncuar veprimet e ushtrisë izraelite në Gaza.
Në mes të shumë flamujve palestinezë, pjesëmarrësit e manifestimit, të thirrur nga organizata të majta të rajonit venecian, mbanin pankarta që bënin thirrje për bojkot të Izraelit dhe për “ndaljen e gjenocidit”.
Disa aktorë të pranishëm në festivalin kinematografik iu bashkuan protestës.
Sipas ANSA-s, ndër ta ishin Lorenzo Zebetti (pjesëmarrës në filmin La Grazia të Paolo Sorrentino), Tecla Insolia, Donatella Finocchiaro dhe Ottavia Piccolo, e cila banon në Lido. I pranishëm ishte edhe karikaturisti Zerocalcare.
Shumë artistë kanë shprehur mbështetjen e tyre për palestinezët gjatë ditëve të fundit në Festival. Ndër ta ishin edhe regjisorja marokene Maryam Touzani dhe bashkëshorti i saj, kineasti Nabil Ayouche, të cilët mbajtën një pankartë të zezë me mbishkrimin “Stop gjenocidit në Gaza” në tapetin e kuq të premten në mbrëmje.
Festivali u hap me një apel nga “Venice4Palestine” (V4P), një kolektiv prej dhjetë regjisorësh të pavarur italianë, për të dënuar luftën në Rripin e Gazës. Në një letër të hapur, kolektivi i kërkoi festivalit që të mos bëhej “një forum i trishtuar dhe bosh”, por të “mbante një qëndrim të qartë dhe të paekuivok”.
Drejtori i Festivalit, Alberto Barbera, iu përgjigj thirrjes ditën e hapjes duke deklaruar se “Bienalja nuk mban qëndrime të drejtpërdrejta politike”, ndonëse shprehu ndjeshmëri ndaj situatës dramatike në Gaza.

