Izraeli kërcënon me burgosje Greta Thunbergut dhe aktivistëve të flotës për Gazën

by engel

Aktivistja suedeze Greta Thunberg dhe mbi 200 pjesëmarrës të një misioni të madh solidariteti për Gazën mund të përballen me burgim në kushte të ngjashme me ato të të dënuarve për terrorizëm, sipas një plani të propozuar nga Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir.

Thunberg shoqërohet nga emra të njohur të artit dhe politikës ndërkombëtare, mes tyre aktorja amerikane Susan Sarandon, aktori i serialit Game of Thrones, Liam Cunningham, dhe ish-kryetarja e bashkisë së Barcelonës, Ada Colau. Ata janë pjesë e asaj që po cilësohet si “misioni më i madh i solidaritetit” ndonjëherë i organizuar për Gazën.

banner

Një takim i mbyllur pritet të mbahet këtë të diel në rezidencën e kryeministrit Benjamin Netanyahu, ku do të diskutohet plani operativ për përballjen me konvojin, që nis nga katër porte evropiane dhe afrikane – Barcelona, Sicilia, Greqia dhe Tunizia.

Sipas raportimeve të Israel Hayom, ministri Ben-Gvir i ka thirrur zyrtarët më të lartë të policisë dhe të shërbimit korrektues për të hartuar një plan që parashikon trajtimin e aktivistëve si “të burgosur të sigurisë”. Kjo do të nënkuptonte mungesë aksesi në media, ushqime minimale dhe paraburgim të zgjatur në burgjet Kjiot dhe Damon.

Përveç kësaj, plani parasheh edhe sekuestrimin e anijeve të aktivistëve për t’i përdorur më pas nga policia izraelite si mjete operative në det. Arsyetimi ligjor, sipas autoriteteve, bazohet në faktin se aktivistët po përpiqen të depërtojnë në një zonë të kufizuar ushtarake.

Ndërsa kryeministri Netanyahu dhe ministri i Jashtëm, Gidon Saar, kanë pretenduar se reagimi i shpejtë ndaj konvojit ishte një sukses diplomatik, rrethet pranë Ben-Gvir kritikojnë atë që e quajnë “strategji të butë”, duke thënë se ajo nuk i ka penguar aktivistët të kthehen përsëri.

“Nëse kjo strategji e re miratohet, pas disa javësh në Kjiot dhe Damon, ata do të pendohen që kanë ardhur,” kanë deklaruar burime pranë ministrit të Sigurisë Kombëtare.

Konvoji i këtij viti përfshin pjesëmarrës nga 44 shtete dhe përbën sfidën më të madhe për Tel Avivin si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në atë ushtarak. Burgosja e aktivistëve të njohur ndërkombëtarisht, mes tyre Greta Thunberg dhe Susan Sarandon, pritet të shkaktojë reagime të ashpra në arenën ndërkombëtare dhe të testojë kufijtë e politikës izraelite ndaj Gazës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy