Me tingullin e parë të ziles së vitit të ri shkollor, në shkollat e kryeqytetit u shënua sot nisja e vitit akademik 2025/2026. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me drejtorin e arsimit, Samir Shahini, përcollën urime për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Sot në Kryeqytet u dëgjua zilja e parë e vitit të ri shkollor, një tingull që shënon fillime të reja, ëndrra të freskëta dhe mundësi të pafundme. Bashkë me drejtorin e arsimit, me rënien simbolike të ziles, përcollem urimin për një vit të mbushur me dije, miqësi dhe sukses për të gjithë nxënësit e mësimdhënësit tanë,” tha Rama.
Ai uroi që ky vit të jetë i pasur me arritje dhe kujtime të bukura për çdo fëmijë të kryeqytetit, duke theksuar rëndësinë e shkollës si hapësirë e dijes dhe edukimit.
“Urojmë që ky vit të sjellë sa më shumë buzëqeshje, arritje e kujtime të bukura për çdo fëmijë të Prishtinës,” shtoi ai.
Nisja e vitit të ri shkollor është shoqëruar me aktivitete të ndryshme në shkollat e kryeqytetit, ku mësues, nxënës dhe prindër kanë përjetuar emocionet e ditës së parë të shkollës.

