Shkruan: Dr. Engelbert Zefaj, profesor universitar
Në një demokraci funksionale, kërkim-falja nuk është zëvendësim për përgjegjësinë. Rasti i Dimal Bashës, bashkautor në një studim me përmbajtje të përçmuese për UÇK-në si vlerë kombëtare, nuk mund të mbyllet me një deklaratë të thatë: “Nuk kam qenë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm.”
Një reagim i tillë nuk është reflektim, por shmangie. Sidomos kur vjen nga një figurë që mban postin e Kryetarit të Parlamentit dhe potencialisht të Presidentit në detyrë, pasojat janë shumë më të rënda se sa një gabim akademik.
Në botën akademike, bashkautorësia nuk është një rol pasiv. Ajo nënkupton përfshirje të plotë në konceptimin, metodologjinë, përmbajtjen dhe rezultatet e një studimi. Pretendimi i Bashës se ka kontribuar vetëm në një kapitull dhe nuk ka pasur dijeni për pjesët e tjera është vetëm një gënjeshtër dhe tallje me inteligjencën e një populli.
Autorët bashkëvendosin për temën, qëllimin, metodologjinë, rezultatet e pritshme, madje edhe revistën ku do të botohet studimi. Nëse përmbajtja dhe rezultatet përfundimtare devijojnë nga marrëveshja fillestare, autorët kanë detyrimin të tërhiqen — jo të heshtin për 13 vite dhe të distancohen vetëm kur janë në pozita të larta institucionale.
Distancimi i Bashës nga studimi nuk ndodhi në momentin e publikimit, por vetëm tani, kur ai është në qendër të pushtetit. Kjo nuk është rastësi, por strategji për të minimizuar dëmin politik. Kërkim-falja e tij nuk përmban asnjë pranim të plotë të gabimit, asnjë reflektim mbi pasojat, dhe asnjë akt konkret për të korrigjuar dëmin. Përkundrazi, është një formulim i dizajnuar për të qetësuar opinionin publik dhe për të shmangur marrjen e përgjegjësisë.
Nëse një zyrtar i lartë ka kontribuar në një publikim që fyen vlerat e shtetit, ai duhet të japë llogari. Jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për mënyrën si ka zgjedhur të manipulojë opinionin publik. Kërkim-falja nuk është mjet për të mbyllur çështjen — është vetëm hapi i parë drejt një procesi të domosdoshëm të transparencës dhe llogaridhënies.
Shmangia e përgjegjësisë nuk mund të normalizohet. Nëse shoqëria pranon kërkim-falje të tilla si zëvendësim për llogaridhënie, atëherë rrezikon të legjitimojë papërgjegjshmërinë institucionale. Rasti i Dimal Bashës duhet të shërbejë si një pikë kthese për mënyrën si trajtojmë vlerat kombëtare dhe etikën publike. Sepse në fund, demokracia nuk mbahet me fjalë të bukura, por me veprime të ndershme.