Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka deklaruar se vota e partisë së tij pro zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit ishte një gabim i madh politik, duke akuzuar PDK-në se ra në “kurthin” e fjalëve të veta.
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Hasani tha se PDK kishte vendosur më parë të votonte “kënddo që nuk ka qenë pjesë e qeverisë”, por se kandidimi i Dimal Bashës nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk përmbushi as standardet minimale për një post të tillë.
“Kur erdhi momenti që e qitën Dimalin, një deputet që ishte po ashtu paragjykues, përçarës gjatë gjithë mandatit të kaluar si deputet”, tha Hasani.
Sipas tij, prezantimi i kandidaturës së Bashës nga deputetja Arbërie Nagavci u prit me mosrespekt dhe ironi në Kuvend.
“Në momentin që doli Arbërie Nagavci dhe ia lexoi biografinë, të gjithë filluan të qeshnin në sallë, nga ironia, nga mospërfillja, nga një veprim që ishte i papërshtatshëm. Edhe vet VV-ja nisi të qeshte”.
Hasani e cilësoi votimin e Bashës si “gabimin më të rëndë të mundshëm” nga ana e PDK-së.
Kritika edhe për Albulena Haxhiun: “Grindavece dhe përçarëse”
Gjatë intervistës, Hasani u ndal edhe te kandidatura e mëparshme e Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Kuvendit, duke deklaruar se refuzoi ta votojë, për shkak të, siç tha ai, qasjeve jo bashkëpunuese dhe përçarëse të saj.
“Derisa ajo nuk e mori votën time, unë ia kam thënë në sy se ‘nuk mund të të votojë pasi je përçarëse, grindavece’. Derisa ajo nuk e mori, të tjerët nuk ishin në rend”.
Ai shtoi se, pavarësisht se VV e justifikoi kandidaturën e Haxhiut me trashëgiminë familjare dhe përkushtimin ndaj lëvizjeve kombëtare, ajo nuk përmbushte kriteret për të udhëhequr Kuvendin.