Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se nuk kanë qenë të njoftuar për vizitën e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, në kompleksin memorial në Prekaz.
Syla tha se, po të kishin qenë të informuar, do ta kishin ndaluar vizitën e Bashës, të cilën e konsideron si “fyerjen më të madhe” ndaj komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Ai ka shkuar tinëzisht në Prekaz për të bërë homazhe, sepse përndryshe, po ta dinim, Basha nuk do të kishte pasur mundësi të vendoste lule tek komandanti ynë legjendar, Adem Jashari. Ai i ka udhëhequr luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën Basha ka pretenduar se logjistikën e ka siguruar nga një fond i krimit të organizuar dhe drogës, siç ka thënë vetë ai”, u shpreh Syla. /Gazeta10

