Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, N.I., E.M. dhe H.H., të cilët ndodhen në masë paraburgimi që nga muaji mars i vitit 2025, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale:
“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe
“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.I. fillimisht ka shitur 972 gram marihuanë në afërsi të fshatit Landovicë, për shumën 2,400 euro. Më pas, më 7 mars 2025, në bashkëpunim me E.M. dhe H.H., ka realizuar një tjetër shitje prej 10,510 gramësh marihuanë, me vlerë 25,000 euro, duke u arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Gjatë bastisjeve të mëvonshme, policia ka sekuestruar:
1,218 gram marihuanë,
dy peshore për peshim të lëndëve narkotike,
3,965 euro në para të gatshme,
dy automjete të tipit “Audi” dhe VW “Bora”,
si dhe një armë zjarri (pistoletë M57, kalibër 7.62 mm) me fishekë dhe pajisje pastrimi.
Prokuroria ka propozuar konfiskimin e mjeteve dhe sendeve të përdorura për kryerjen e veprave penale, dhe ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.

