Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili – sipas raportimeve – ka thënë se shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia ndotin bregdetin shqiptar.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri e ka quajtur këtë deklaratë fyese dhe të papranueshme, duke theksuar se asnjë fjalë e ndotur apo negative nuk e zbeh dashurinë e shqiptarëve të Kosovës për Shqipërinë, të cilën e konsiderojnë atdhe të shenjtë.
“E duam Shqipërinë, e kemi atdhe të shenjtë – asnjë fjalë e pamatur, e ndotur, negative e Edi Ramës nuk ka fuqi ta ndalë këtë dashuri të madhe që kemi për atdheun. Kryeministrat shkojnë e marrin turpin me vete, Shqipërinë e kemi përjetë”, ka shkruar Tahiri.
Deklarata e Ramës ka nxitur reagime në opinionin publik dhe në rrjete sociale, sidomos në Kosovë, ku shumë qytetarë dhe figura publike e kanë konsideruar të padrejtë përgjithësimin dhe etiketimin e qytetarëve nga diaspora shqiptare.

