Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me përfaqësues të Bashkimit Evropian, me fokus në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet sistemit prokurorial të Kosovës dhe institucioneve evropiane.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jehona Grantolli, ndërsa delegacioni i BE-së përbëhej nga Thomas Busch, këshilltar kryesor politik i PSBE-së për dialogun Prishtinë–Beograd, dhe Christian Ramet, këshilltar politik dhe përfaqësues në Prishtinë i PSBE-së për dialogun.
Gjatë bisedimeve, palët diskutuan rëndësinë e zbatimit të standardeve që ndihmojnë në funksionalizimin e sistemit prokurorial, si dhe ndikimin e tyre në proceset e rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri. Kelmendi vlerësoi angazhimin e BE-së në monitorimin e vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke e cilësuar Bashkimin Evropian si një partner strategjik dhe të domosdoshëm për zhvillimin institucional.
Takimi u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mekanizmave të drejtësisë, me synim rritjen e transparencës, efikasitetit dhe besimit publik në institucionet prokuroriale. Palët u dakorduan për vazhdimin e koordinimit në kuadër të reformave që lidhen me sundimin e ligjit dhe dialogun politik.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Kosova po përpiqet të konsolidojë institucionet e saj të drejtësisë në përputhje me standardet evropiane, si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit në strukturat euroatlantike.