Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Astrazub të Malishevës, ku për pasojë dy persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 15:50, kur dy vetura janë përplasur mes vete.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe autoambulanca. Fatkeqësisht, mjekët kanë konstatuar vdekjen e një femre dhe një mashkulli, ndërsa dy persona të tjerë janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor”, tha Elezaj për mediat.
Me urdhër të prokurorit të rastit, trupat e viktimave janë dërguar për obduksion, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

