Kosova u mposht bindshëm nga Zvicra me rezultat 4:0 në stadiumin “St. Jakob-Park” në Basel, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Pas përfundimit të ndeshjes, përzgjedhësi i “Dardanëve”, Franco Foda, shfaqi zhgënjimin e tij për paraqitjen e skuadrës, veçanërisht në pjesën e parë.
“U kam thënë lojtarëve se në pjesën e parë nuk e treguan fytyrën e vërtetë. Humbëm shumë lehtë topin dhe kundërshtarëve u dhamë mundësi të shënonin gola shumë lehtësisht,” deklaroi Foda.
Trajneri gjerman theksoi se në fraksionin e dytë Kosova tregoi përmirësim, duke pasur më shumë stabilitet në mbrojtje dhe organizim në lojë.
“Në pjesën e dytë ishte shumë më mirë. Në mbrojtje ishim më stabilë. Duhet ta harrojmë këtë ndeshje dhe të rigjenerohemi. Përgatitjet tani fokusohen te sfida kundër Suedisë,” shtoi ai.
Kosova tashmë duhet të reagojë shpejt, pasi përballet me Suedinë – një kundërshtar i fortë dhe rival direkt në garën për kualifikim.