Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke i cilësuar ato si “mashtrim dhe hajni në dëm të konsumatorëve”.
Sipas tij, qytetarët janë detyruar të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike pa përgatitje adekuate dhe pa transparencë institucionale. “Qeveria dhe ZRRE këtë situatë e quajnë ‘reflektim të kostove’, por në realitet është rezultat i një vendimmarrjeje të gabuar dhe të njëanshme”, deklaroi Shala.
Deputeti opozitar paralajmëroi se pasojat do t’i ndiejnë të gjitha familjet në Kosovë, sidomos gjatë dimrit, kur çmimi i energjisë mund të shkojë deri në katërfishim. Ai shtoi se bizneset tashmë po përballen me tarifa të larta, të cilat rrezikojnë aktivitetet e tyre ekonomike, ndërsa rritje të reja mund të rëndojnë edhe buxhetet familjare.
Shala gjithashtu e lidhi krizën energjetike me situatën politike në vend, duke theksuar se, sipas tij, rezistenca e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj konstituimit të Kuvendit tregon mungesën e gatishmërisë për t’u përballur me sfidat reale të qytetarëve.