Ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është zgjedhur Presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ajo mori 167 vota nga gjithsej 193 shtete anëtare, në një proces që këtë herë u zhvillua me votim të fshehtë, pas kërkesës së Rusisë.
Baerbock, 44 vjeçe, e cila deri në maj të këtij viti mbante postin e diplomates më të lartë të Gjermanisë, e ka marrë zyrtarisht detyrën në Nju Jork. Ajo ka dhënë dorëheqjen edhe nga mandati në Bundestag për t’iu përkushtuar funksionit të ri.
Në fjalën e saj pas emërimit, Baerbock u shpreh se synon të jetë një “forcë bashkuese” mes 193 vendeve anëtare, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të Kartës së OKB-së në kohën e sfidave të reja ndërkombëtare.
Emërimi i saj ka shkaktuar reagime të përziera në Gjermani. Kancelari Friedrich Merz kritikoi periudhën e saj si ministre të Jashtme, duke e cilësuar atë si “diskutime torturuese”. Po ashtu, diplomati Christoph Heusgen u shpreh se Gjermania duhej të kishte kandiduar diplomaten me përvojë Helga Schmid për këtë post.
Baerbock, e njohur për qëndrimet e saj të ashpra kundër agresionit rus dhe politikave të Kinës, shpesh është vlerësuar si një zë i drejtpërdrejtë por edhe polarizues në politikën e jashtme gjermane.
Si Presidente e Asamblesë së Përgjithshme, Baerbock do të ketë mandat njëvjeçar, duke udhëhequr punimet dhe duke bashkëpunuar me ambasadorët e vendeve anëtare për përgatitjen e agjendës së OKB-së. Një nga sfidat kryesore do të jetë përgatitja e procesit për zgjedhjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara vitin e ardhshëm.