Lista Serbe ka reaguar ashpër pas mbledhjes së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e akuzuar këtë institucion se është përpjekur të zvogëlojë në mënyrë të kundërligjshme numrin e kryesuesve të këshillave të vendvotimeve që delegohen nga kjo parti, sidomos në Mitrovicën e Veriut dhe Graçanicë, në kuadër të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen me 12 tetor.
Në një komunikatë për media, Lista Serbe ka thënë se materiali i mbledhjes nuk i është dorëzuar në mënyrë të plotë përfaqësuesit të saj në KQZ, çka sipas tyre, tregon përpjekjen për ta fshehur këtë vendim.
“Përsëritet e njëjta situatë si në zgjedhjet parlamentare, kur me një vendim të paligjshëm na ishte ulur numri i anëtarëve pothuajse në të gjitha komunat. Atëherë, Paneli Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa (PZAP) kishte vendosur në favorin tonë, por KQZ nuk e kishte zbatuar atë vendim,” thuhet në reagimin e Listes Serbe.
Kjo parti u bëri thirrje anëtarëve të KQZ-së që të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore, ndërsa përfaqësuesit ndërkombëtarë i ftoi të reagojnë menjëherë për, siç e quajti, “shkeljen e rëndë në dëm të serbëve në Kosovë dhe të partisë”.