Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar me shqetësim ndaj formimit të një aleance ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilën e cilësoi si një “bosht kundër Serbisë”.
Në intervistën e tij të parë televizive pas kthimit nga Kina, Vuçiç tha se ky konfigurim rajonal përfaqëson një sfidë serioze për Beogradin, duke e krahasuar me përvojat e hidhura të viteve ’90.
Duke folur për televizionin Pink, Vuçiç u shpreh se aleanca e re ka një sfond të fortë në NATO dhe se pritet që edhe Bullgaria t’i bashkohet.
“Ne duhet të reagojmë me durim dhe qetësi, për të forcuar pozicionet tona në botë,” tha ai, duke paralajmëruar se Serbia nuk duhet të jetë e verbër ndaj formimeve të tilla, të cilat sipas tij, ngjajnë me konfigurimet para luftërave të mëdha.
Presidenti serb përmendi edhe deklaratat e fundit nga Sllovenia, duke thënë se ato zbulojnë pa mëdyshje formimin e boshteve kundër Serbisë për shkak të situatës në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.
“Ata nuk e bënë këtë për të ngrënë karkaleca deti, por për të punuar drejtpërdrejt kundër interesave të popullit serb,” theksoi Vuçiç.
Gjatë vizitës së tij në Kinë, ku mori pjesë në paradën ushtarake përkrah liderëve si Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, Vuçiç tha se niveli i armatimeve që pa në Pekin është tregues i përgatitjeve globale për zhvillime të ardhshme.
“Të gjitha vendet evropiane po armatosen në maksimum. Edhe këtu në rajon,” shtoi ai.
Vuçiç paralajmëroi se në paradën ushtarake që do të mbahet në Beograd më 20 shtator, publiku do të shohë një transformim të madh të kapaciteteve të Ushtrisë Serbe. Ai përmendi komandantin legjendar Tiosav Janković, duke cituar një bisedë me të:
“Nëse do të kishim atë që kemi tani, do t’i kishim shkaktuar shumë më tepër dëme NATO-s.”
Në përmbyllje, Vuçiç theksoi se Serbia është e gatshme të mbrojë veten, por nuk dëshiron luftëra apo konflikte. “Është e qartë se dikush po bën aleanca ushtarake kundër nesh,” deklaroi ai, duke lënë të hapur një debat të ri mbi balancat gjeopolitike në Ballkan.