Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se disa udhëheqës europianë do të vizitojnë Uashingtonin të hënën ose të martën, për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump tha gjithashtu se së shpejti pritet të zhvillojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin, duke sinjalizuar se administrata e tij është e gatshme të kalojë në një fazë të dytë të sanksioneve ndaj Moskës.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi si të drejtë idenë e sanksioneve shtesë dhe i bëri thirrje vendeve evropiane të ndalojnë blerjen e energjisë ruse. “Ne duhet të ndalojmë blerjen e çdo lloj energjie nga Rusia. Nuk mund të kemi asnjë marrëveshje me ta nëse duam t’i ndalojmë”, u shpreh Zelensky për ABC News.
Këto zhvillime vijnë pas sulmit më të madh ajror të Rusisë ndaj Ukrainës që nga nisja e luftës, ku u vranë katër persona dhe u godit për herë të parë ndërtesa kryesore e qeverisë në Kiev. Sipas autoriteteve, Rusia lëshoi mbi Ukrainë të paktën 810 dronë dhe 13 raketa.
Trump reagoi duke thënë se nuk ishte i kënaqur me situatën aktuale dhe theksoi se do të diskutojë me aleatët europianë për hapa të mëtejshëm. Ai përmendi gjithashtu planin për të vendosur tarifa dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të bëjnë tregti me Rusinë.
Zelensky e përshëndeti këtë ide, duke theksuar se masa të tilla do të pengonin aftësinë e Moskës për të financuar luftën.
Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër bën të ditur se Rusia ka shitur rreth 985 miliardë dollarë naftë dhe gaz që nga marsi i vitit 2022. Kina dhe India kanë qenë blerësit më të mëdhenj, ndërsa Bashkimi Evropian ka reduktuar ndjeshëm importet, me planin për t’i ndalur plotësisht deri në vitin 2027.