Vetëm pak ditë pasi Lëvizja Vetëvendosje e konfirmoi me unanimitet nominimin e Albin Kurtit për postin e kryeministrit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, nga partia vijnë zëra që tregojnë se mungon mbështetja e nevojshme parlamentare për formimin e qeverisë.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për Indeksonline, pranoi hapur se nuk ekzistojnë numrat për të krijuar shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh.
“Është e qartë dhe evidente se numrat 61 për qeverinë nuk janë krijuar ende. Sa i përket bashkëpunimeve, ajo krejt do të varet nga pozicionet e subjekteve opozitare, por më e mira për qytetarët dhe për kredibilitetin e procesit është shkuarja në zgjedhje të reja,” deklaroi Kusari-Lila.
Kjo deklaratë vjen vetëm tre ditë pas nominimit të Kurtit, duke reflektuar vështirësitë e mëdha për arritjen e një konsensusi politik në Kuvend.
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse Vetëvendosja do të arrijë të bindë ndonjë nga subjektet opozitare për një bashkëpunim, apo vendi do të shkojë drejt një tjetër procesi zgjedhor.

