Pas fitores së rëndësishme të Kombëtares shqiptare ndaj Letonisë, trajneri Silvinjo doli para gazetarëve me një mesazh të qartë: Shqipëria mbetet në garë për kualifikimin në Kupën e Botës dhe përgatitjet për sfidën e tetorit kundër Serbisë do të jenë intensive.
Braziliani e cilësoi Letoninë si një kundërshtar të fortë fizikisht dhe taktikisht, duke theksuar se ndeshja nuk ishte aspak e lehtë.
“Kemi bërë një ndeshje të mirë, me disa momente ku mund ta kishim mbyllur më herët, por përballë kishim një skuadër që lufton deri në fund,” tha Silvinjo, duke shtuar se ndryshimi i modulit me futjen e Kumbullës në minutat e fundit ishte një manovër e menduar për të ruajtur avantazhin.
Duke folur për ndeshjen e ardhshme kundër Serbisë, Silvinjo u tregua i matur, por optimist.
“Është shumë herët për të folur për atë ndeshje, por do të përgatitemi fort. Serbia është një ekip i fortë, e kemi parë edhe në ndeshjet e tyre të fundit. Ne besojmë te puna jonë dhe te cilësitë e lojtarëve tanë. Fusha do të tregojë gjithçka për 90 minuta.”
Trajneri nuk kurseu vlerësimet për lojtarët dhe federatën, duke theksuar se është krenar për përkushtimin dhe performancën e skuadrës.
“Të kualifikohesh në Europian është e vështirë, por për Botërorin është edhe më shumë. Megjithatë, jemi ende në lojë dhe kjo është më e rëndësishmja.”
Me fitoren ndaj Letonisë, Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivit madhor. Silvinjo paralajmëroi se ditët në vijim do të shërbejnë për analizë dhe pushim, përpara se të nisë faza e përgatitjes intensive për përballjen me Serbinë.