Në 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, drejtuesit më të lartë institucionalë të Republikës së Kosovës bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë, për të nderuar viktimat e tragjedisë që tronditi Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën.
Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, vendosën kurora me lule në shenjë respekti dhe kujtimi për jetët e humbura. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemniteti dhe reflektimi mbi vlerat që bashkojnë Kosovën dhe SHBA-në.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka qenë dhe mbetet një partnere e palëkundur e SHBA-së, jo vetëm në kujtim të viktimave, por edhe në angazhimin e përbashkët kundër terrorizmit global. “Në atë ditë bota u nda në dysh: në ata që besojnë në liri dhe humanizëm, dhe në ata që përqafojnë terrorin. Kosova me krenari qëndron në anën e vlerave të lirisë,” tha ajo.
Dimal Basha e cilësoi 11 Shtatorin si një sulm ndaj vlerave universale të demokracisë dhe lirisë. Ai kujtoi se mes viktimave ishin edhe tre shqiptarë, duke nënvizuar lidhjen e veçantë mes dy popujve. “Populli shqiptar qëndron krah popullit amerikan, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta dhe kundër çdo forme terrori,” deklaroi Basha.
Albin Kurti vuri në dukje se sulmet e 11 Shtatorit jo vetëm që ndryshuan marrëdhëniet ndërkombëtare, por paralajmëruan edhe sfidat e reja të shekullit XXI. Ai përmendi rastet e terrorizmit të sponsorizuar nga shtete, duke aluduar në strukturat ilegale të mbështetura nga Beogradi që kanë vepruar në Kosovë.
Sulmet e 11 Shtatorit 2001 mbeten një nga ngjarjet më tragjike në historinë moderne të SHBA-së. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga pjesëtarë të Al-Kaidës; dy u përplasën në Kullat Binjake në New York, një në Pentagon dhe një tjetër në Pensilvani, ku pasagjerët tentuan të ndalonin rrëmbyesit. Në total, 2,977 persona humbën jetën.
Në Kosovë, kjo ditë përkujtohet jo vetëm si një tragjedi globale, por edhe si një moment solidariteti dhe angazhimi për paqe dhe siguri ndërkombëtare.