Abdixhiku paralajmëron: Nëse nuk respektohet Kushtetuta, LDK braktis institucionet dhe del në rrugë

by engel

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të kursit politik të partisë që drejton, nëse sipas tij, vazhdon mosrespektimi i Kushtetutës së vendit.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku tha se LDK-ja mund të braktisë institucionet dhe të kalojë në veprim protestues jashtë tyre.

banner

Kreu i LDK-së theksoi se partia e tij ka vepruar brenda institucioneve për më shumë se dy dekada, por nuk e përjashton mundësinë e largimit nga rruga institucionale nëse Kushtetuta nuk respektohet.

“LDK-ja e ka konsideruar veprimin e vet politik tash e 25 vite brenda institucioneve të Kosovës. Ende nuk është ardhur në atë pozitë që të konsiderojë veprimin jashtë tyre. Por nuk e përjashtojmë si alternativë,” tha Abdixhiku.

Ai sqaroi se çdo vendim për të dalë në protesta do të merret në mënyrë të organizuar, përmes strukturave të partisë.
“Në momentin që ne e vlerësojmë se duhet të dalim në protesta dhe të largohemi prej rrugës institucionale, në atë moment mbledhim organet e partisë, braktisim institucionet, dalim në rrugë,” deklaroi Abdixhiku.

Duke e cilësuar Kushtetutën si “referin” e funksionimit institucional, Abdixhiku tha se mungesa e respektimit të saj e bën të pakuptimtë pjesëmarrjen në proceset parlamentare.
“Nëse nuk ka refer dhe nuk ka rregulla kushtetuese, nuk ka kuptim të presim në Parlament e të themi ‘hajde po vazhdojmë tutje’,” u shpreh ai.

Deklaratat e Abdixhikut vijnë në një moment kur debati mbi respektimin e normave kushtetuese dhe funksionimin e institucioneve ka marrë hov, veçanërisht në kontekstin e përplasjes mes pushtetit dhe opozitës për çështje të ndjeshme si reforma zgjedhore, dialogu me Serbinë dhe ndarja e pushteteve.

Ky paralajmërim nga LDK mund të sinjalizojë një fazë të re të mobilizimit opozitar, me pasoja të mundshme për stabilitetin politik dhe institucional të vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy