Zarfet e trashëgimisë së Giorgio Armani: Dy testamente të fshehta dhe një pasuri e ndarë me kujdes

by engel

Legjenda e modës italiane, Giorgio Armani, i ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, ka lënë pas vetes jo vetëm një trashëgimi të jashtëzakonshme në industrinë globale të modës, por edhe dy testamente të dorëshkruara, të mbyllura në zarfa të vulosur, të cilat janë hapur më 9 shtator nga noterja Elena Terrenghi në Milano.

Dokumentet, të datuara më 15 mars dhe 5 prill të këtij viti, mbeten ende të pa publikuara në përmbajtje, por sipas burimeve pranë arkivit noterial, ato përmbajnë udhëzime të detajuara për ndarjen e pasurisë dhe drejtimin e grupit “Armani” në vitet në vijim.

banner

Armani, i njohur për përpikmërinë e tij ekstreme dhe kontrollin e plotë mbi çdo aspekt të markës që mbante emrin e tij, kishte planifikuar me kujdes të jashtëzakonshëm procesin e trashëgimisë. Duke mos pasur fëmijë, ai ka pasur lirinë të shpërndajë pasurinë pa kufizimet ligjore që zakonisht lidhen me trashëgimtarët e afërt.

Trashëgimtarët kryesorë të pasurisë dhe të grupit “Armani” janë tre nipërit e tij: Silvana dhe Roberta, vajzat e vëllait të ndjerë Sergio; Andrea Camerana, djali i motrës Rosanna; si dhe Leo Dell’Orco, bashkëpunëtori i tij më besnik dhe drejtues i linjave të veshjeve për meshkuj.

Trashëgimia përfshin 99.9% të aksioneve të grupit “Armani”, si dhe një portofol të gjerë pronash luksoze: vila në ishullin Pantelleria, rezidenca në Forte dei Marmi ku ndodhet edhe lokali “La Capannina”, shtëpia në rrugën Borgonuovo në Milano, Villa Rosa në Oltrepò Pavese, dhe prona të tjera në Saint Moritz, Paris dhe Saint Tropez.

Fondacioni Armani, themeluar një dekadë më parë me ndihmën e Dell’Orco dhe bankierit Irving Bellotti, pritet të luajë një rol kyç në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe sociale të markës, si dhe në mbështetjen e kauzave bamirëse që Armani ka përkrahur ndër vite.

Ndërsa përmbajtja e plotë e testamenteve mbetet për t’u zbuluar, një gjë është e qartë: Giorgio Armani ka lënë pas jo vetëm një perandori mode, por edhe një testament të vullnetit të tij për të garantuar vazhdimësinë, integritetin dhe vlerat që e kanë karakterizuar gjatë gjithë jetës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy