Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shkak të një “hulumtimi” të tij që, sipas Limajt, përbën sulm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Limaj tha se Basha duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij dhe se dorëheqja është mënyra e vetme për ta përballuar pasojën politike të këtij rasti.
“Ai nuk është kryetar i Kuvendit tim. Ai njeri duhet të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit. Duhet të ndalet dhe të jetojë me pasojën. Nuk dua të komentoj motivin – unë vetëm po them se duhet të ketë pasoja për veprimin që ka bërë”, deklaroi Limaj në një intervistë për ATV.
Ai rikujtoi rastin e ish-ministrit Jabllanoviq, i cili ishte shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, pas deklaratave që kishin shkaktuar reagim të ashpër në opinionin publik.
“Shikoni deklaratën e Jabllanoviqit dhe shikoni punimin e Dimalit. Isa Mustafa e shkarkoi. Por pati një reagim qytetar të jashtëzakonshëm – nuk mund të ikësh me një kërkim falje”, tha Limaj.

