Protestat e së djathtës ekstreme kundër emigracionit në kryeqytetin britanik u shoqëruan të shtunën me dhunë dhe përplasje me policinë, duke lënë të paktën 26 efektivë të lënduar dhe 25 persona të arrestuar.
Tubimi “Unite the Kingdom”, i organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson, mblodhi mijëra protestues në qendër të Londrës. Demonstruesit marshuan me flamuj britanikë dhe anglezë drejt Whitehall-it, ku ndodhen zyra e kryeministrit dhe institucionet qeveritare.
Policia Metropolitane bëri të ditur se dhuna shpërtheu pasi pjesëmarrësit tentuan të thyenin zonat e sigurta të vendosura për të ndarë protestuesit nga kundërprotestuesit. Në rrjete sociale, autoritetet raportuan për sulme ndaj efektivëve dhe përpjekje të turmës për të thyer kordonët policorë.
Zëvendëskomisioneri Matt Twist e cilësoi dhunën “krejtësisht të papranueshme” dhe paralajmëroi se hetimet kanë nisur për identifikimin e personave përgjegjës. Edhe kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, dënoi ashpër sulmet ndaj policisë, duke thënë se “dhuna nuk ka vend në rrugët e qytetit”.
Protesta erdhi pas një vere të mbushur me manifestime anti-emigracion në mbarë Britaninë, disa prej të cilave kanë degjeneruar në akte dhune. Tubimi i së shtunës u shoqërua gjithashtu me një kundërprotestë të organizuar nga lëvizja “Stand Up to Racism” dhe grupe antifashiste, ku morën pjesë edhe figura politike të krahut të majtë. Ata mbajtën fjalime dhe brohoritën slogane kundër racizmit dhe ekstremizmit të djathtë.
Tommy Robinson, i cili më herët këtë vit u lirua nga burgu ku po vuante një dënim për shpifje ndaj një refugjati sirian, deklaroi se protesta tregonte se “Britania më në fund është zgjuar” dhe se “patriotizmi dhe kufijtë janë e ardhmja”.
Ndërkohë, policia kishte shprehur shqetësim se marshi mund të ngjallte frikë tek komunitetet myslimane, për shkak të retorikës anti-islame të raportuar në protesta të ngjashme në të kaluarën.