Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, duke e falënderuar për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë mandatit diplomatik në vendin tonë.
Sipas njoftimit të Presidencës, Presidentja Osmani ka theksuar se Gjermania mbetet një partner strategjik i rëndësishëm për Kosovën dhe se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë në rritje të vazhdueshme.
“U veçua rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, të cilat janë forcuar edhe falë kontributit të çmuar të mërgatës kosovare në Gjermani, që përmes investimeve dhe angazhimit të tyre përbëjnë një urë të fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe popujve tanë”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani gjithashtu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, përfshirë përkrahjen në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike.
Po ashtu, u vlerësua lart ndihma e vazhdueshme gjermane në sektorë të ndryshëm përmes projekteve zhvillimore, që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Në fund të takimit, Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike.

