Një mbrëmje spektakolare futbolli në Torino përfundoi me një barazim dramatik 4-4 mes Juventusit dhe Borussia Dortmund, me bardhezinjtë që arritën të shmangnin humbjen në minutat shtesë. Trajneri Igor Tudor u shfaq i kënaqur pas ndeshjes, duke e quajtur këtë rezultat “një pikë të madhe” duke pasur parasysh rrethanat.
“E pranojmë këtë pikë sepse më shumë nuk mund të bënim – tha Tudor pas ndeshjes. – Ekipi tregoi zemër të madhe, shpirt gare dhe një pankinë që bëri diferencën. Ky është një sinjal i qartë se këtu nuk ka titullarë të përhershëm, por çdo lojtar mund të bëjë ndryshimin”.
Juventusi ishte në disavantazh 4-2, por reagoi fuqishëm në minutat e fundit duke e mbyllur sfidën në barazim. Për Tudor, kjo është dëshmia se puna e skuadrës po jep frytet e saj: “I komplimentoj të gjithë. Dortmund është një ekip me cilësi të jashtëzakonshme, por ne treguam karakter dhe shpirt. Sigurisht, kemi bërë disa gabime mbrojtëse që duhej shmangur, por përpara jemi gjithmonë të rrezikshëm”.
Sa i përket zgjedhjeve të formacionit dhe rotacionit të skuadrës, trajneri kroat e bëri të qartë se filozofia e tij mbetet e pandryshueshme: “Unë gjithmonë kam thënë se nuk ka titullarë fiks. Me pesë zëvendësime, futbolli ka ndryshuar. Ndeshjet shpesh vendosen në 20 minutat e fundit. Sot djemtë treguan se secili është i rëndësishëm”.
Duke folur për sfidat e ardhshme, Tudor shtoi: “Kemi punuar mbi shpirtin dhe dëshirën për të luftuar, ky është fillimi dhe fundi i çdo gjëje. Pastaj vijnë detajet. Na mungoi Conceição, ndërsa Bremer vjen pas një kohe të gjatë jashtë fushave. Megjithatë, jam i kënaqur dhe tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen me Veronën”.