Nis gjykimi ndaj deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq

by informim peje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku ka nisur procesi gjyqësor ndaj tij për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj gazetarëve gjatë një proteste në veri të vendit në vitin 2023.

Krahas Simiqit, në seancë është paraqitur edhe Urosh Vukasinoviq, i cili po ashtu përballet me akuza të rënda për të njëjtin incident.

banner

Më 13 qershor 2025, Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Simiqit (me iniciale S.S.), me dyshimin se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, sipas nenit 404, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K. në Leposaviq, Simiq kishte marrë pjesë me dashje në një turmë prej më shumë se tetë personash. Në momentin që ish-ministri kishte dalë nga objekti i komunës, një grup personash të maskuar filluan të hedhin mjete shpërthyese në drejtim të veturës zyrtare. Më pas, Simiq akuzohet se u ka dhënë urdhër protestuesve që të sulmojnë gazetarët.

Nga sulmi, gazetarët e mediumeve të Republikës së Kosovës janë goditur fillimisht me shok bomba, dhe më pas me grushte, shqelma, mjete të forta si kube betoni, tulla, ngjyrë dhe sende të tjera. Si pasojë, dy gazetarë kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër, Urosh Vukasinoviq, akuzohet për veprat penale “Sulmi” sipas nenit 184, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1, dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404, paragrafi 1 i KPRK-së.

Prokuroria ka kërkuar që të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy