Barcelona do të zbresë sonte në “St James’ Park” për sfidën hapëse të Champions League ndaj Newcastle, por pa talentin spanjoll Lamine Yamal. 18-vjeçari vazhdon rikuperimin nga një dëmtim muskulor dhe do të mbetet në Katalonjë për t’u përgatitur për ndeshjen e fundjavës kundër Getafes.
Në krahun tjetër, lajmi pozitiv për katalanasit është rikthimi i Frenkie de Jong. Mesfushori holandez është shpallur i gatshëm nga stafi mjekësor pas shqetësimeve në kofshë dhe është përfshirë në listën e udhëtimit drejt Anglisë. Barcelona gjithashtu nuk do të ketë të gatshëm Alejandro Balde (hamstring) dhe Gavi (gjuri).
Flick beson te Rashford
Trajneri Hansi Flick, në prag të përballjes, foli me fjalë të mira për Marcus Rashford, i cili i është bashkuar Barcelonës këtë sezon në formë huazimi nga Manchester United.
“E kam ndjekur që nga fillimi i karrierës dhe gjithmonë kam menduar se është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka shpejtësi, është i fortë në duele një kundër një dhe ka një përfundim të shkëlqyer para portës. Çfarë kam parë në javët e para te ne është shumë premtuese,” tha Flick.
Newcastle kërkon moment historik
Nga ana tjetër, trajneri i Newcastle, Eddie Howe, e cilësoi ndeshjen si një moment historik për klubin, i cili rikthehet në Champions pas dy vitesh mungese.
“Është një përballje me një ndjesi magjike. Barcelona është një klub i madh dhe atmosfera në ‘St James’ Park’ do të jetë e jashtëzakonshme. Ne duam të marrim rezultat pozitiv dhe të përsërisim disa nga gjërat e mira që treguam ndaj PSG-së dy sezone më parë,” tha Howe.
Ai theksoi rëndësinë e një starti të mirë në një grup ku janë gjithashtu Athletic Bilbao, Marseille dhe Bayer Leverkusen: “Rezultatet janë ajo që ka më shumë rëndësi. Përvoja nga e kaluara mund të na ndihmojë, por synimi është të japim performancë të fortë që në ndeshjen e parë.”
Zërat nga brenda fushës
Mbrojtësi i Barcelonës, Andreas Christensen, e vlerësoi atmosferën në stadiumin anglez: “Është një nga stadiumet më të mirë ku kam luajtur ndonjëherë. Duhet të jemi shumë të përqendruar.”
Nga ana e Newcastle, Howe konfirmoi se Anthony Gordon është në planet e tij, pas skualifikimit kundër Liverpoolit: “Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe një element i rëndësishëm për ne.”
📌 Ndeshja Newcastle – Barcelona zhvillohet sonte në “St James’ Park”, me fillim nga ora 21:00.