Ish-gazetari i BBC-së dhe ish-drejtor i Radio Beogradit, Milivoje Mihajloviq, ka dhënë një intervistë për televizionin publik të Sllovenisë, ku foli gjerësisht për marrëdhëniet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Bazuar në deklaratat e tij, Mihajloviq thekson se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë një bashkëpunim të heshtur.
Ndër të tjera, ai deklaroi se Kurti është “nxënës i mirë i Vuçiqit”.
Analisti Azdren Shala, në emisionin “Ora Shtatë”, u shpreh se kjo nuk është hera e parë që dëgjohet një deklaratë e tillë.
“Këtë deklaratë, identike, e ka thënë para një viti një zyrtar gjerman i BE-së, i cili theksonte se ‘Kurti dhe Vuçiq janë aleatë të natyrshëm; nuk kanë nevojë të merren vesh apo të bien dakord, sepse populizmat e tyre ushqejnë njëri-tjetrin’”, tha Shala.
Ai shtoi se, që nga formimi i shteteve kombëtare në Ballkan, nacionalizmi ka qenë karta kryesore që i ka mbajtur liderët në pushtet.
“Brenda kësaj platforme krejtësisht nacionaliste projektohet urrejtja për tjetrin. Kjo do të thotë se edhe veprimet e Kurtit në Kosovë i shërbejnë Vuçiqit në Serbi, dhe anasjelltas – pa nënkuptuar ndonjë marrëveshje mes tyre për bashkëpunim,” tha Shala.
Sipas tij, as Kurti dhe as Vuçiq nuk kanë ndonjë ide konkrete se si duhet qeverisur, dhe mbështetja e tyre politike bazohet kryesisht në retorikën nacionaliste.
“Vuçiqit i duhet një Albin Kurti në Kosovë,” shtoi ai.
Ndërkohë, opinionisti Zejnullah Jakupi ka një qëndrim tjetër. Sipas tij, nuk ekziston bashkëpunim mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Ndërsa gazetari Vullnet Krasniqi theksoi se të dy liderët shfrytëzojnë ‘gafat’ e njëri-tjetrit për përfitime politike.