Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë Amerikane (SATMO), kolonel Thomas Melton. Takimi u zhvillua në kuadër të partneritetit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe strukturave ushtarake amerikane.
Sipas njoftimit zyrtar të FSK-së, gjatë bisedimeve u vlerësuan lartë arritjet e deritanishme të pjesëtarëve të FSK-së, të cilët kanë shfaqur performancë të shkëlqyer në aktivitetet e përbashkëta me ekipet e SATMO-s.
U theksua kontributi i këtyre ekipeve në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe në procesin e validimit të njësive, si pjesë e zhvillimit të strukturës operacionale të FSK-së.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe plani trevjeçar i aktiviteteve të ardhshme, ku SATMO do të luajë një rol kyç në trajnimin dhe profesionalizimin e njësive të reja.
Mbështetja amerikane u cilësua si thelbësore për avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe për përgatitjen e saj drejt standardeve ndërkombëtare.
Në përmbyllje të takimit, të dy komandantët riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit strategjik dhe angazhimin për thellimin e partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.