Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me shumën prej 2,500 eurosh, pas një shkeljeje të rregullave zgjedhore nga kandidati i saj për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Sipas vendimit të datës 20 shtator 2025, PZAP konstatoi se Peci, më 16 shtator, kishte realizuar fotografi për qëllime elektorale në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit në Mitrovicë, duke shfrytëzuar një institucion publik për promovimin e subjektit të tij politik.
Ankesa ndaj këtij veprimi ishte bërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 18 shtator. PDK argumentoi se kandidati i Vetëvendosjes ka tentuar të përfitojë vota duke përdorur një hapësirë publike për fushatë, gjë që bie ndesh me Kodin e Mirësjelljes për subjektet politike dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore.
“Nga provat e paraqitura, paneli ka vlerësuar se kandidati nga radhët e VV-së ka shkelur Rregulloren Zgjedhore, duke u regjistruar në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit për fushatë zgjedhore,” thuhet në vendimin e PZAP-it, ku theksohet se postimi i fotografive të aktivitetit vazhdon të jetë aktiv në rrjetin social Facebook.
Nga ana tjetër, në përgjigjen ndaj ankesës, Vetëvendosje ka mohuar se Peci ka shfrytëzuar burime publike për qëllime elektorale, duke deklaruar se aktivitetet e tij janë realizuar vetëm me resurset e subjektit politik.
Sipas vendimit, Vetëvendosje ka afat 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit për të paguar gjobën.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, ndërsa fushata zgjedhore ka nisur më 13 shtator dhe zgjat deri më 12 tetor në ora 06:59. Në garë për komunën e Mitrovicës së Jugut janë katër kandidatë: Faton Peci (LVV), Arian Tahiri (PDK), Qazim Nimani (AAK) dhe Gëzim Plakolli (LDK).
Në nivel vendi, në zgjedhjet lokale janë certifikuar 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.