Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova nuk është prishur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vetëm ka disa dallime.
Haziri tha se nuk bëhet fjalë për dallime, por për “kushtëzime”, duke theksuar se masat e SHBA-së ndaj Kosovës për shkak të Kurtit mund të rrezikojnë edhe fondet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
“Kushtëzimi ka suspenduar dialogun strategjik që ka filluar në fund të janarit të vitit 2025. Fatkeqësisht, me këtë konfirmim, ne kemi marrë edhe fondin e Mileniumit, i cili po ashtu mund të rrezikohet nga masat për shkak të sjelljes së Kurtit,” shkroi Haziri.
Ai kritikoi tentativat, siç i quajti, për manipulim medial të situatës, duke thënë se raporti i kushtëzuar mes qeverisë amerikane dhe Kurtit nuk mund të amnistohet.
Megjithatë, Haziri shtoi se marrëdhëniet e popullit të Kosovës me SHBA-në mbeten të pandikuara. “E mira e madhe është që marrëdhëniet e pakushtëzuara e të paprekshme janë me popullin e Kosovës, dhe ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të ruajtjes së tyre. Do të jemi falënderues e mirënjohës deri në fund për atë që SHBA ka bërë tash e 35 vjet, dhe besoj se edhe 35 vitet e ardhshme do të zhvillohen edhe më shumë,” përfundoi ai.