Presidenti amerikan, Donald Trump beson se njohja e shtetit të Palestinës është një shpërblim për Hamasin, tha sot pasdite zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt.
Ajo shtoi se presidenti amerikan do t’i drejtohet nesër Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në lidhje me këtë vendim të marrë nga disa vende, përfshirë Francën, për t’i njoftuar ata se këto janë “vetëm fjalë dhe jo veprime të mjaftueshme konkrete”.
BM, Kanadaja dhe Australia njohën dje zyrtarisht shtetin e Palestinës.
Kryeministri Keir Starmer njoftoi dje se ”Mbretëria e Bashkuar tani njeh zyrtarisht një shtet palestinez”.
“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe dhe një zgjidhje me dy shtete, unë deklaroj qartë – si kryeministër i këtij vendi të madh – se Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”, tha ai në një deklaratë video.
Më parë, Kanadaja u bë vendi i parë i G7-s, që bëri këtë veprim, e ndjekur nga afër nga Australia.
”Australia e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran”, tha po dje kryeministri australian, Anthony Albanese, duke iu bashkuar Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë në marrjen e këtij vendimi historik.
“Australia njeh aspiratat legjitime dhe të hershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin”, tha Albanese në një deklaratë të përbashkët me ministren e Jashtme, Penny Wong.