Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19:30, banorët e rrugës “Rinia” në Prishtinë janë alarmuar nga të shtëna me armë zjarri. Ngjarja u raportua menjëherë në polici, e cila reagoi me shpejtësi duke dalë në vendin e ngjarjes dhe nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se nuk ka persona të lënduar nga incidenti.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin,” ka thënë Pllana.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje mbi autorët apo motivet e mundshme të të shtënave. Policia ka intensifikuar hetimet dhe pritet që në ditët në vijim të ofrojë më shumë informacione për publikun.