Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka parandaluar disa konflikte, dhe se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e Kosovës, ku në muajin maj, sipas saj, ka pasur një përpjekje nga Serbia, por që është parandaluar.
Në lidhje me këto deklarata ka reaguar ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq. Ky i fundit i ka cilësuar deklarimet e Osmanit si “pretendime të rreme” dhe ka akuzuar presidenten se e ka përdorur intervistën në Fox News për “të përhapur gënjeshtra”.
“Vjosa Osmani e përdori intervistën e saj në Fox News këtë mëngjes për të përhapur një sërë gënjeshtrash në një përpjekje për ta portretizuar qeverinë e saj si diçka që thjesht nuk është. Ajo pretendoi në mënyrë të rreme se Serbia ka planifikuar ndonjëherë një ‘sulm’ ose ndonjë formë agresioni,” ka shkruar Gjuriq.
Ai shtoi se deklaratat e Osmanit janë hedhur poshtë edhe nga ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Kjo akuzë është hedhur poshtë tashmë publikisht – përfshirë edhe nga Ambasadori Richard Grenell, një nga aleatët më të ngushtë të Donald Trump. Pretendime të tilla tregojnë se Osmani qëndron në kundërshtim me politikat e Presidentit Trump dhe të Shteteve të Bashkuara, të cilat ajo pretendon se i përqafon,” ka theksuar ai.
Më tej, ministri serb komentoi edhe pezullimin e dialogut strategjik të planifikuar nga SHBA-të, duke thënë se Osmani “harroi ta përmendte” këtë detaj.
“Pikërisht për këtë arsye, administrata amerikane e udhëhequr nga Presidenti Trump ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik midis SHBA-së dhe ‘Kosovës’. Një detaj i vogël që ajo ‘harroi’ ta përmendte,” ka vijuar ai.
Në postimin e tij në platformën X (ish-Twitter), Gjuriq pretendoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës ka qenë qeveria më e hapur anti-Trump në Evropë.
“E ashtuquajtura ‘qeveri e Kosovës’ në fakt ka qenë qeveria më e hapur anti-Trump në Evropë – duke vepruar jo vetëm kundër politikës amerikane, por edhe kundër vetë vlerave që përfaqëson Evropa. Dhe ideja e qeverisë së saj për të ‘mbështetur’ Presidentin Trump? Pjesëmarrja në Konventën Demokratike në mes të një fushate zgjedhore në SHBA. Nëse ky nuk është një shembull tipik i ndërhyrjes së huaj dhe dyfytyrësisë politike, atëherë është e vështirë të imagjinohet çfarë është”, përfundoi Gjuriq.