Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në New York me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Në fokus të bisedës ishin zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajoni më gjerë, me theks të veçantë mbi procesin e integrimit europian të vendit.
“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore,” ka deklaruar Osmani, duke ritheksuar nevojën urgjente për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës.
Sipas saj, këto masa po dëmtojnë të gjithë qytetarët pa përjashtim dhe përbëjnë një pengesë të panevojshme në rrugën drejt stabilitetit dhe paqes afatgjatë. “Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë,” ka theksuar presidentja, duke apeluar për një qasje më të drejtë dhe konstruktive nga ana e institucioneve europiane.
Takimi me Kallas vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet Kosovë–BE, ndërsa Prishtina vazhdon të kërkojë trajtim të barabartë dhe mbështetje konkrete për reformat dhe angazhimet e saj demokratike.