Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pritet të përballet me një kallëzim penal që do të dorëzohet nesër në Prokurorinë Speciale, lidhur me një artikull të publikuar në një revistë shkencore amerikane, ku pretendohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është financuar nga kartelët e drogës.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Gent Gjini, i cili ka njoftuar se padia do të dorëzohet të premten në orën 13:20, së bashku me një përfaqësues të UÇK-së.
Sipas Gjinit, padia përfshin edhe akuzën për bashkëpunimin e Bashës me një autore të huaj për publikimin e këtyre pretendimeve, të cilat ai i cilëson si të rënda dhe të dëmshme për imazhin e luftës çlirimtare.
Gjini ka paralajmëruar se do të kërkojë nga Prokuroria Speciale që Dimal Bashës t’i ndalohet ushtrimi i funksionit si kryeparlamentar, derisa çështja të trajtohet dhe të hetohet në mënyrë të plotë.
Ai ka theksuar se deklaratat dhe publikimet e tilla cenojnë rëndë ndjenjat e familjeve të dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.
Në një reagim publik të mërkurën, kryeparlamentari Basha ka bërë të ditur se emri i tij është larguar nga bashkë-autorësia e artikullit, si dhe nga kapitulli 3 i botimit, ku ai kishte trajtuar temën e islamit fundamentalist në Kosovë.
Ai nuk ka komentuar mbi pretendimet për financimin e UÇK-së, duke lënë të hapur interpretimet mbi përfshirjen e tij në pjesët më të kontestuara të publikimit.