Gjatë qëndrimit në New York, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Sulltanatit të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Al Busaidi.
Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, në takim u theksua se Kosova dhe Omani mbajnë raporte konstruktive, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve formale diplomatike. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Omanit për mbështetjen e dhënë në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Gjatë bisedës, Kurti informoi ministrin Al Busaidi për zhvillimet pozitive ekonomike dhe demokratike në Kosovë, si dhe për mundësitë që vendi ofron për investitorë të huaj. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një partneriteti më të gjerë në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, tregtinë, kulturën, arsimin dhe turizmin.
“Potenciali për bashkëpunim është i madh dhe përfitimet do të ishin të ndërsjella,” u shpreh Kurti, duke ftuar homologun e tij për një vizitë zyrtare në Kosovë, së bashku me një delegacion të nivelit të lartë nga Omani.
Sipas ZKM-së, një vizitë e tillë do të ndihmonte në thellimin e mirëkuptimit dhe në hulumtimin e mundësive të reja të bashkëpunimit dypalësh në interes të të dy popujve.
Takimi me ministrin e Jashtëm të Omanit është një nga disa takime dypalëshe që krerët institucionalë të Kosovës po zhvillojnë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me qëllim të forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rritjes së pranisë së Kosovës në arenën globale.