Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur të enjten në fshatin Treboviq të Pejës, ku ka humbur jetën 15-vjeçari Eldion Kelmendi, vëllai i këngëtarit të njohur Gjesti.
Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 14:00, ku Eldioni ishte duke drejtuar një motoçikletë dhe bashkë me të ndodhej edhe një pasagjer tjetër i mitur. Sipas njoftimit të Policisë, motoçikleta u përfshi në një aksident me një automjet, dhe për pasojë, Eldion Kelmendi humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Pasagjeri tjetër, po ashtu i mitur, ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Fsh. Treboviq, Pejë 26.09.2025 – 14:00. Ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin është përfshirë një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë, drejtuesi i motoçikletës – i mitur, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime ka pësuar edhe një i mitur – pasagjer në motoçikletë i cili është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e motoçiklistit, ndërsa trupi i tij me vendim të prokurorit është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Familja Kelmendi ka njoftuar se varrimi i Eldionit do të bëhet sot, në orën 17:00, në varrezat e fshatit Pavlan.

