Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Zubin Potokut dyshohet për përfshirje në sulmin e Banjskës

by engel

Garës për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës i është bashkuar edhe partia më e madhe e serbëve në vend, Lista Serbe. Mes kandidatëve për kryetarë komunash është edhe Millosh Peroviq, i cili synon të udhëheqë komunën e Zubin Potokut.

Burime të Tëvë1 bëjnë të ditur se Peroviq dyshohet të ketë qenë pjesë e grupit të armatosur të udhëhequr nga Millan Radojçiq, i cili më 24 shtator 2023 kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Televizioni ka siguruar një fotografi nga pamjet e dronit të Policisë së Kosovës, ku shihet një person i maskuar dhe i armatosur rëndë brenda oborrit të manastirit të Banjskës, për të cilin dyshohet se është pikërisht Peroviq.

banner

Lidhjet e ngushta të kandidatit me Radojçiqin dëshmohen edhe nga një fotografi e realizuar në vitin 2023 në Beograd, ku ai shihet përkrah nënkryetarit të dorëhequr të Listës Serbe.

Tëvë1 ka kërkuar një qëndrim nga Lista Serbe lidhur me këto dyshime, por deri në momentin e publikimit të kronikës, partia nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkohë, kryetari aktual i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një prononcim për Tëvë1 e ka quajtur Peroviqin “njeri të afërt dhe bashkëpunëtor të Millan Radojçiqit”.

“Millosh Peroviq është një sejmen i linjave të kryeterroristit Radojçiq. Ai është i komprometuar në afera të ndryshme korruptive dhe në keqbërje ndaj qytetarëve. Kjo është çështje e organeve të drejtësisë, por si përfaqësues i Listës Serbe nuk sjell asgjë pozitive. Qasja e Listës Serbe është në kundërshtim me normat ligjore të Republikës së Kosovës,” tha Zeqiri.

Ai shtoi se edhe lista e kandidatëve për asamblistë të Listës Serbe në këtë komunë përbëhet nga persona të afërt të Radojçiqit.

“Edhe më parë Peroviq ka qenë deputet nga radhët e Listës Serbe. Tani, kur shoh listën për asamble, e cila udhëhiqet nga bartësi Sergjan Vulloviq, shohim të njëjtën linjë të bashkëpunëtorëve të Radojçiqit,” deklaroi Zeqiri.

Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të mësuar nëse po hetohet përfshirja e Peroviqit në rastin e Banjskës, por deri në publikim nuk ka pranuar përgjigje.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy