Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së djeshme dy shtetas serbë në zonën e Koshares, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Arrestimi u krye nga Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë Kufitare në Ponashec.
Sipas burimeve të siguruara, të arrestuarit janë babë e bir, ku djali dyshohet se shërben si ushtar aktiv në ushtrinë serbe. Ata kishin hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Kullë, duke vizituar fillimisht Manastirin e Deçanit, për të vazhduar më pas drejt zonës së Koshares.
Operacioni i ndalimit u krye nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, prej të cilëve disa ishin ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar uniforma, simbole nacionaliste dhe emblema të ndryshme të Serbisë. Po ashtu, është konfiskuar edhe automjeti me të cilin lëviznin dy të dyshuarit.
Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë një komunikatë zyrtare mbi motivet e pranisë së tyre në këtë zonë dhe mbi veprimet e mëtejshme që do të ndërmerren.